QDNJD-ja ofron shërbime ligjore, psiko-sociale dhe mjekësore pa pagese.
Këto shërbime ofrohen nga staf i specializuar, i përbërë nga:

Punonjës Social
Juriste/ Avokatë
Nd/Mjek

Shërbimet e ofruara

Shërbime ligjore
Ofrim i konsulencës juridike si dhe përfaqësim në gjykatë, shërbime paraligjore (ndërhyrje për zgjidhjen e çështjeve administrative), shërbime Kliniks ( aftësimi i individëve për ndjekjen e cështjeve të tyre përpara institucioneve administrative apo gjyqësore).

Shërbime  psiko-sociale
Mbështeje emocionale dhe psikologjike, këshillim individual dhe në grup, adresim në qendrat e specializuara sipas kategorisë së nevojave të paraqitura, konsultim, orientim dhe ndërmjetësim për punësimin e grave/ vajzave si dhe përfitimin e kurseve profesionale.

Shërbime mjekësore
 Këshillim/ informim, edukim (depistime për kancerin e   gjirit), referime në organizata të  tjera që ofrojnë shërbime mjekësore.

Kush mund të përfitojë nga këto shërbime?
Shtetasit të cilët pretendojnë shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve publike, private apo individë;
Viktimat e dhunës në familje (gra/ burra, të mitur);
Personat të cilët pretendojnë trajtim të pabarabartë nga ana e institucioneve shtetërore ( sjellje diskriminuese);
Individët të cilët kanë nevojë për informacion ligjor, trajtim psiko- social apo konsulta mjekësore;

Statusi i tyre:
Të papunë
Gratë kryefamiljare pa të ardhura
Personat me paaftësi ose aftësi të kufizuar mendore dhe/ose fizike
Anëtarët e komuniteteve vulnerabël si ata Romë dhe egjyptianë
Persona  që vuajnë dënimin në institucionet e paraburgimit dhe të burgimit në Shqipëri

Statistika të punes se QDNJD per  periudhën  Janar 2015 – Dhjetor 2015

Në vitin 2015, Qëndra ka ofruar:

Konsulencë juridike – 311 raste nga të cilat 124 raste kanë qënë raste të dhuës në familje;
Përfaqësime ligjore - 75 raste, 83% e tyre kanë përfituar UM nga Gjykata;
Hartim dokumentacioni ligjor – 132 dokumenta ligjore;
Shqyrtim ankesash – 37 anëkesa individuale dhe në grup;
Konsulencë mjekësore - 17 raste
Ndërmjetësim/referim - 203 raste,

Konsulencë juridike

Qëndra ka ofruar konsulencë ligjore për 311 raste, konsulenca ligjore, numri me i madh i çështjeve për të cilat është ofruar këshillim ligjor ka patur për objekt: lëshimin e urdhërave mbrojtës dhe mbrojtjen nga diskriminimi gjithashtu konsulencë është ofruar edhe për cështje që kanë për objekt: zgjidhjen e martesës, kujdestarine/përgjegjësinë prindërore, pronësinë, trashgiminë, marrdhëniet juridike të punës, përfitimin e ndihmës ekonomike, ekzekutimin e vendimeve etj. Mbi 55 % e këtyre rasteve kanë mundur të ndjekin zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative apo gjyqësore.


Përfaqësim ligjor
Gjatë kësaj periudhe Qëndra nëpërmjet përfaqësimeve në gjykatë ka bërë të mundur ofrimin e mbrojtjes ligjore dhe përmbushjen e të drejtave për 75 raste viktima të dhunës në familje, 83 % e rasteve të dhunës në familje janë paisur me urdhër mbrojtje.

Mekanizmi Referues kundër dhunës në famile
Ky mekanizëm ka trajtuar 63 raste të dhunës në familje, 52 prej rasteve të trajtuara nga mekanizmi janë paisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata .

Zyra e ankesave:
Qëndra ka shërbyer si zyrë ankesash ku qytetarët kanë parashtruar pretendimet e tyre në lidhje me shkeljet e të drejatve nga institucionet shtetërore apo private.Ankesat e parashtruara kanë qenë individuale dhe në grup ( anëtarë të komunitetit rom/egjiptian), gjithsej janë regjistruar 37 ankesa.Si rezultat i ndërmetësimit të Qendrës me institucionet përgjegjëse është bërë e mundur që 75 % i këtyre ankesave të zgjidhen me sukses.

Përfituesit e konsulencës juridike në komisariatet e policisë Tiranë dhe IEVP 325 seksioni i grave të paraburgosura:
Një nga aktivitetet kryesore të zbatuara nga QDNJD në vitin 2015 është monitorimi i Komisariateve të Policisë Tiranë dhe Institucionit të Paraburgimit 325 në lidhje me rrespektimin e të drejtave të personave të akomoduar në këto institucione.Gjatë këtyre seancave monitoruese Qëndra ka ofruar shërbime ligjore për këta persona dhe ka adresuar shkeljet e konstatuara, konkretisht :

Në komisariatet e Tiranës janë zhvilluar 12- seanca monitoruese dhe është ofruar konsulencë ligjore për 35 -persona të ndaluar/arrestuar dhe shoqëruar ( të gjithë përfituesit kanë qenë meshkuj).

Në Institucionin e paraburgimit 325 QDNJD ka zhvilluar 12- seanca monitoruese, gjatë këtyre seancave ka ofruar konsulencë ligjore për 96 - gra/vajza dhe ka hartuar -12 dokumenta ligjore për gratë/vajzat e akomoduara pranë këtij institucioni.

Fuqizimi i të drejtave social ekonomike
Në kuadër të përmbushjes së objektivave mbi përmirësimin e situatës ekonomiko- sociale të grave/vajzave dhe kategorive në nevojë në këtë zonë, Qendra ka bashkëpunuar me struktura të ndryshme shtetërore, private dhe OJF, dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur:
- Punësimi i 46 grave/vajzave, nga të cilat 23 rome/egjyptiane dhe 8 viktima të DHF.
- Përfshirja në kurse profesionale, 22 gra/vajza të përfshira në kurset profesionale.
- Kanë përfituar ndihmë ekonomike 44 viktima të dhunës në familje.