Zyra e Tropojes dhe aktivitetet e zbatuara prej saj

 

Qëndra Të Drejtat e Njeriut në Demokraci  operon ne Rrethin e Tropojës që prej vitit 2005. Prej këtij viti e  në vazhdim QDNJD ka zbatuar disa projekte me fokus  përmirësimin e situatës të mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e pozitës sociale të gruas në shoqëri. 

Qendra eshte e vetmja organizate qe ofron shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës në familje si dhe individe me problem sociale në rrethin e Tropojës.

 

Në harkun kohor 2007 – 2013, Qëndra ka ndërmarrë këto aktivitete/programe në kuadër të përmirësimit të situatës të mbrojtjes të të drejtave të njeriut në Tropojë si dhe mbështetjes së viktimave të dhunës në familje.

 

Kështu mund të përmendim:

 

1. Fushata periodike të zhvilluara në Bajram Curri dhe fshatrat përreth, që kanë   ndërgjegjësuar komunitetin, në mënyrë të vecantë gratë dhe vajzat  në zonat rurale për të drejtat e njeriut dhe dhunën me bazë gjinore; si dhe kanë rritur  nivelin e  informacionit të komunitetit mbi të drejtat e njeriut. Pjesë e fushatave ka qënë edhe ofrimi i shërbimeve në zonat periferike të Bajram Currit (Bujan, Cerrnice, Markgegaj, Kocanaj, Dojan, etj) duke i bërë këto shërbime të aksesueshme nga target grupi në nevojë. Gjithashtu janë shpërndarë fletëpalosje dhe materiale informuese mbi dhunën me bazë gjinore, të drejtat e njeriut, etj. Fushata ka rezultuar në rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit, në mënyrë të vecantë grave dhe vajzave në zonat rurale për të drejtat e njeriut dhe dhunën me bazë gjinore.

 

2.  Qëndra ka fuqizuar grate/vajzat e marxhinalizuara nëpërmjet rritjes se nivelit të informacionit lidhur me të drejtat e tyre ligjore si dhe ofrimit të shërbimeve mbështetëse. Qëndra ka ofruar asistencë psikologjike, sociale dhe ligjore për një numër të konsiderueshëm individësh, në mënyrë të vecantë për gratë dhe vajzat.  Problematika sociale me të cilën përballet target grupi i grave dhe vajzave në Tropojë është  dhuna në marrëdhëniet familjare, mentaliteti patriarkal, papunësia, situata e vështirë ekonomike, divorci,  sëmundjet e ndryshme, etj.

 

3. Qëndra ka ngritur dhe  forcuar  kapacitetet lokale në rrethin e Tropojës duke qënë e vetmja organizatë që  trainon  gra/vajza (përfshirë edhe gra rurale) lidhur me  të drejtat e tyre të parashikuara  në legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Trainimet kanë qënë të fokusuara në fushën ligjore, dhunën në familje, përkatësinë gjinore, shëndetin e gruas, etj. Trajnimet kanë  rritur  ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave për të drejtat e tyre dhe aftësitë  e tyre për të përdorur mjetet e ankimit në rastet e dhunimit të të drejtave të tyre.

 

4.  Qëndra ka rritur aksesin e grave/fëmijëve në sistemin e drejtësisë nëpërmjet ofrimit  efektiv të  asistencës ligjore dhe psiko-emocionale për viktimat e dhunës në familje. Asistenca ligjore falas ka konsistuar në ofrimin e shërbimeve ligjore, si këshillim, informim mbi mjetet ligjore, përgatitje aktesh dhe dokumentacioni, kërkesave për mbrojtje nga dhuna në familje. Gratë/vajzat, viktima/të mbijetuara nga dhuna në familje janë informuar mbi mjetet ligjore që ofron ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Ato janë këshilluar, janë përgatitur aktet ligjore, kërkesat për urdhër të menjëhershëm mbrojtje ose urdhër mbrojtje si dhe janë përfaqësuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor dhe komisariatin përkatës të policisë me qëllim  mbështetjen edhe në procesin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

 

Përmes ofrimit të shërbimeve ligjore për viktimat e dhunes, Qëndra ka identifikuar se :

  • Dhuna në familje përbën një problem shqetësues e cila ushqehet nga mentaliteti patriarkal në këto zona dhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit të komunitetit;
  • Mungesa e strukturave dhe programeve të vecanta pengon zbatimin e ligjit Ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”;
  • Mungesa e shërbimeve të vlefshme në Tropojë dhe zonat rurale të saj, për viktimat e dhunës në familje i step ato të denoncojnë dhunën dhe të  përdorin  mjetet ligjore që ofron ligji kundër dhunës në familje;

 

5. Qëndra ka ngritur dhe  forcuar  kapacitetet e  institucioneve shtetërore ( gjykatë, qendra shëndetësore, Komisariati i Policisë, institucionet arsimore, struktura të pushtetit lokal)   nëpërmjet  trajnimeve  mbi Ligjin  nr. 9669, datë 16.12.2006 "Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare".

 

6.Paralelisht, Qëndra ka ndërgjegjësuar gratë e komunitetit të  Tropojës për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe atij cervikal; SST,  planifikimin familjar si dhe cështje të tjera të shëndetit të gruas. Qëndra ka nxitur dhe inkurajuar  kontrolle periodike mjeksore, referim për kryerjen e  mamografisë, në mënyrë të vecantë  popullatës në risk. Kjo ka rezultuar në ngritjen e kulturës shëndetsore të grave/vajzave të rrethit të Tropojës.

 

7. Mungesa e programeve për të rinjtë në lidhje me informimin e tyre me të drejtat ligjore dhe aksesi i ulët në informacion ka nxitur QDNJD të organizojë me të rinj të  shkollave të mesme dhe nëntëvjecare  ëorkshope të cilat kanë rritur nivelin e njohurive të të rinjve në lidhje me të drejtat e tyre. Paketa informuese në lidhje me të drejtat e njeriut dhe cështjet gjinore u janë dhuruar këtyre shkollave (rreth 230 nxenes janë përfitues të këtyre trainimeve)..

 

8. Qëndra ka monitoruar zbatimit e ligjit nr.9669, datë 18.12.2006,“Për masa ndaj dhunës në marrëdhënie familjare” nga organet përgjegjëse shtetërore sic janë gjykata, policia, strukturat e pushtetit local, strukturat shëndetësore, etj. Monitorimi ka  identifikuar problemet në zbatim të këtij ligji nga strukturat përkatëse shtetërore dhe njëkohësisht  monitorimi na ka ndihmuar për të hartuar rekomandime/sugjerime lidhur me  përmirësimin e  aspekteve të vecanta të ligjit.  

 

9. Qëndra në mënyrë periodike ka zhvilluar aktivitete ndergjegjësuese në Bashkinë e e rrethit Tropojë me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit, në mënyrë të vecantë grave dhe vajzave lidhur me te drejtat e tyre, me focus të vecantë  parandalimin e dhunës në marrëdhëniet familjare dhe rritjes së nivelit të njohurive në lidhje me mjetet ligjore që ofron ligji nr.9669, datë 18.12.2006,“Për masa ndaj dhunës në marrëdhënie familjare”.