QDNJD-ja ofron shërbime ligjore, psiko-sociale dhe mjekësore pa pagese.
Këto shërbime ofrohen nga staf i specializuar, i përbërë nga:

Punonjës Social
Juriste/ Avokatë
Nd/Mjek

Shërbimet e ofruara

Shërbime ligjore
Ofrim i konsulencës juridike si dhe përfaqësim në gjykatë, shërbime paraligjore (ndërhyrje për zgjidhjen e çështjeve administrative), shërbime Kliniks ( aftësimi i individëve për ndjekjen e cështjeve të tyre përpara institucioneve administrative apo gjyqësore).

Shërbime  psiko-sociale
Mbështeje emocionale dhe psikologjike, këshillim individual dhe në grup, adresim në qendrat e specializuara sipas kategorisë së nevojave të paraqitura, konsultim, orientim dhe ndërmjetësim për punësimin e grave/ vajzave si dhe përfitimin e kurseve profesionale.

Shërbime mjekësore
 Këshillim/ informim, edukim (depistime për kancerin e   gjirit), referime në organizata të  tjera që ofrojnë shërbime mjekësore.

Kush mund të përfitojë nga këto shërbime?
Shtetasit të cilët pretendojnë shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve publike, private apo individë;
Viktimat e dhunës në familje (gra/ burra, të mitur);
Personat të cilët pretendojnë trajtim të pabarabartë nga ana e institucioneve shtetërore ( sjellje diskriminuese);
Individët të cilët kanë nevojë për informacion ligjor, trajtim psiko- social apo konsulta mjekësore;

Statusi i tyre:
Të papunë
Gratë kryefamiljare pa të ardhura
Personat me paaftësi ose aftësi të kufizuar mendore dhe/ose fizike
Anëtarët e komuniteteve vulnerabël si ata Romë dhe egjyptianë
Persona  që vuajnë dënimin në institucionet e paraburgimit dhe të burgimit në Shqipëri

Statistika të punes se QDNJD per  periudhën  Janar 2013 – Dhjetor 2013

Në vitin 2013, Qënda ka ofruar:

Konsulencë juridike - 263 raste
Përfaqësime ligjore - 119 raste
Hartim dokumentacioni ligjor - 205 dokumenta ligjore
Konsulencë psiko-emocionale - 132 raste
Konsulencë mjekësore - 17 raste
Shqyrtim ankesash - 11 anëkesa
Ndërmjetësim/referim - 74 raste
Konsulenca juridike

Në funksion të rivendosjes së të drejtave të shkelura dhe realizimit të të drejtave të parashikuara në legjislacionin shqiptar, Qëndra ka ofruar konsulencë ligjore për 263 raste, konsulenca ligjore ka konsistuar në mënyrë të veçantë në lidhje me çështjet civile dhe familjare por ka patur dhe një numër të konsiderueshem çështjesh të fushës penale ku konsulenca është ofruar në ambjentet e komisariateve dhe paraburgimit.Numri me i madh i çështjeve për të cilat është ofruar këshillim ligjor ka patur për objekt “lëshimin/vërtetimin/ndryshimin dhe ekzekutimin e urdhërave mbrojtës, zgjidhjen e martesës, kujdestarine/përgjegjësinë prindërore, pronësinë, trashgiminë, marrdhëniet juridike të punës, përfitimin e ndihmës ekonomike, ekzekutimin e vendimeve, përfitimi i  KMCAP-së, përgjegjësinë penale, dënimet alternative etj.
Rezultatet : Mbi 50% e këtyre rasteve kanë mundur të ndjekin zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative apo gjyqësore.




Përfaqësim ligjor
Gjatë kësaj periudhe Qëndra nëpërmjet përfaqësimeve në gjykatë ka bërë të mundur ofrimin e mbrojtjes ligjore dhe përmbushjen e të drejtave për 119 raste, numri më i madh i çështjeve ka patur për objekt lëshimin e urdhërave mbrojtës dhe zgjidhjen e martesës, konkretisht :
 Janë përfaqësuar 93  çështje me objekt ”Lëshimin e Urdhërave te Mbrojtjes”, nga të cilat 87 % e raste e kanë përfituar UM  ndërsa 13% e  raste janë pushuar për shkak të pajtimit të palëve dhe shkaqeve të tjera.
 Janë përfaqësuar 26 çështje me objekt ”Zgjidhjen e martese, kujdestarinë prindërore dhe vërtetimin e fakteve juridike, 95% e këtyre rasteve janë përfunduar me sukses ndersa  5% e tyre janë pushuar.

Hartimi i  dokumentacionit ligjor:
Një nga aspektet kryesore të fillimit të një procedimi gjyqësor apo administrativ janë dokumentet ligjore. Në këtë kuadër QDNJD iu ka ardhur në ndihmë klientëve të saj nëpërmjet hartimit të këtyre dokumentave në funksion të realizimit të të drejtave të tyre të njohura nga ligji. Në këtë kuadër janë hartuar gjithësej 205 dokumenta ligjore të llojit : ”kërkesë padi, kundër padi, raport vlerësimi psiko-emocional, kërkesë, kallëzim penal, shpjegime përpara gjykatës, pretendime përfundimtare” etj. Objekti i këtyre dokumentave ka qënë i lidhur kryesisht  me çështje civile dhe familjare si : ”urdhëra mbrojtje, zgjidhje martese, mardhënje pune, kujdestari prindërore, ekzekutim vendimi etj.

Konsulencë psiko-emocionale:
Qendra për periudhën Janar-Dhjetor 2013 ka ofruar konsulencë psiko-emocionale në mënyrë të veçantë për të mbijetuarat e  dhunës në familje të cilat jane gra/vajza të dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshortët/ish-bashkëshortët apo pjestarë të tjerë të familjes. Këshillimi është ofruar kryesisht  nëpërmjet seancave individuale. Në këtë kuadër Qendra ka ofruar konsulencë psiko-emocionale për 132  gra/vajza, kryesisht të mbijetuara të dhunës në familje dhe ka  përgatitur 8 raporte psiko-emocionale.

Përfituesit e konsulencës juridike, psiko-emocionale dhe dokumenta të hartuara në komisariatet e Tiranës dhe Institucionit të paraburgimit 313 (Seksioni i Grave) :
Një nga aktivitetet kryesore të zbatuara nga QDNJD në vitin 2013 është monitorimi i Komisariateve të Policisë Tiranë dhe Institucionit të Paraburgimit 313 (Seksioni i Grave) në lidhje me respektimin e të drejtave të personave të akomoduar në këto institucione. Gjatë këtyre seancave monitoruese Qëndra ka ofruar shërbime ligjore dhe psiko-emocionale për këta persona dhe ka adresuar shkeljet e konstatuara, konkretisht :
Në komisariatet e Tiranës janë zhvilluar 24 seanca monitoruese dhe është ofruar konsulencë ligjore dhe konsulencë psiko-emocionale për personat e ndaluar/arrestuar dhe shoqëruar
Në Institucionin e Paraburgimit 313, QDNJD ka zhvilluar  20 seanca monitoruese, gjatë këtyre seancave ka  ofruar  konsulencë ligjore, psiko-emocionale  për 167 gra/vajza dhe ka hartuar 9 dokumenta ligjor për gratë/vajzat e akomoduara në këtë institucion.

Fuqizimi i të drejtave social ekonomike
Në kuadër të përmbushjes së objektivave mbi përmirësimin e situatës social ekonomike  të grave/vajzave dhe kategorive në nevojë, Qendra ka bashkëpunuar me struktura të ndryshme shtetërore, private dhe OJF dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë i  mundur:
-  Punësimi i 38 grave/vajzave
- Përfshirja në kurse profesionale e 23 grave/vajzave
- Lehtësimi i aksesit në shërbime (panë institucioneve shtetërore) për rreth 200 gra/vajza.


Përfituesit nga trajnimet
Në kuadër të ngritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve lokale, Qendra ka zhvilluar trainime me gra/vajza të komunitetit në lidhje me çështje të ndryshme ligjore/sociale dhe mjekësore. Trainimet  janë fokusuar mbi çështje të tilla si ” të drejtat e grave, rritja e kulturës shëndetsore, dhuna në familje:, etj. Në këto trainime kanë marrë pjesë gjithsej 184 gra/vajza.