VLERËSIM I SISTEMIT NË TRAJTIMIN E RASTEVE TË DHUNËS NË MARRËDHËNIET
FAMILJARE
Studimi dy vjeçar “Respektimi i të drejtave të viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje -
Gjetje dhe Rekomandime nga monitorimi i vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”
(2016 -2017) bazohet në monitorimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Tiranë për çështje civile dhe penale, me objekt lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të
Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes dhe ndjekjen penale të dhunuesve që kanë ushtruar dhunë në
marrëdhëniet familjare. Nga monitorimi i vendimeve gjyqësore me këtë objekt kanë rezultuar
gjetje të rëndësishme edhe mbi përmbushjen e detyrimeve ligjore nga institucionet përgjegjëse si
Komisariatet e Policisë, gjykatat, Qendrat shëndetësore, organet e pushtetit vendor si edhe Zyrat
e Përmbarimit.
KU KONSISTON VLERA E STUDIMIT?
Së pari, gjetjet dhe rekomandimet e studimit i kanë shërbyer përmirësimit të ligjit nr.9669, datë
18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar. Këto rekomandime kanë
konsistuar në zgjerimin e rrethit të subjekteve që gëzojnë mbrojtje nga dhuna në marrëdhëniet familjare,
një zbatim më të mirë të vendimeve gjyqësore të lëshimit të UMM/UM, përjashtimin e pajtimit të palëve
në rastet e dhunës në familje, etj.
Së dyti, nga studimi kanë rezultuar rekomandime që kërkojnë rritjen e shpejtësisë së gjykimit të çështjeve
me objekt lëshimin e UMM/UM nga gjykatat e Apelit, përfshirjen në këto urdhra mbrojtje të masës së
urdhërimit të dhunuesëve të ndjekin programe rehabilitimi, një respektim më të mirë të afateve
proceduriale sidomos në rastet e vërtetimit të UMM, referimit nga gjyqtarët në Konventën e Këshillit të
Europës Për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventën e
Stambollit), ratifikuar me Ligjin nr. 104/2012, datë 8.11.2012, forcimin e ndjekjes penale për dhunuesit
që ushtrojnë dhunë në marrëdhëniet familjare, etj.
Së treti, në lidhje me policinë është rekomanduar referimi i Viktimës së Dhunës në Familje pranë
institucioneve përgjegjëse për përfitimin e ndihmës ekonomike, ndihmës ligjore, psikologjike, etj si një
detyrë shumë e rëndësishme e Komisariateve të Policisë.
Së katërti, studimi rekomandon që Njësitë Vendore të përmbushin më mirë përgjegjësitë me të cilat i
ngarkon Ligji nr.9669, datë 18.12.2006,“Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare“, i ndryshuar të
cilat lidhen jo vetëm me informimin, mbështetjen dhe referimin e rasteve në institucione të tjera
përgjegjëse por edhe me paraqitjen e kërkesave për UMM/UM siç parashikohet në ligj dhe zbatimin e
vendimeve të Gjykatës për lëshimin e UM. Njësitë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (NJMF-të)
rekomandohet të luajnë një rol aktiv në procesin gjyqësor të lëshimit të UMM/UM për mbrojtjen e të
miturve nga dhuna.
Së pesti, në lidhje me Qendrat Shëndetësore rekomandohet ndërhyrja e duhur nga ana e Ministrise se
Shendetesise, në mënyrë që këto Institucione të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore duke
mundësuar që viktimat e dhunës në familje të kenë akses në shërbimet mbështetëse, mjeksore dhe
psikologjike, të pajisen me raport të posaçëm mjeksor, etj.
Së gjashti, studimi rekomandon trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Zyrës së Përmbarimit Tiranë
në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për viktimat e dhunës në familje.
Së shtati, profilet e viktimës dhe dhunuesit në marrëdhëniet familjare do të shërbejnë për politika sociale
që adresojnë nevojat.
Kështu, profili i “viktimës së dhunës në familje” dhe profili i “dhunuesit” (2016&2017) do të kërkojë
ngritjen e shpejtë të programeve të rehabilitimit të dhuesëve me një shpërndarje më të mirë gjeografike,
më shumë programe këshillimi për familjen, rritjen e vëmendjes ndaj programeve të edukimit të vajzave
dhe djemve, burrave dhe grave, më shumë mundësi punësimi dhe vëmendje nga pushteti vendor për
dhunuesit e papunë.
Së fundmi, gjetjet dhe rekomandimet e studimit do ti shërbejnë OJF-ve që punojnë në këtë fushë për një
advokaci të suksesshme dhe bërjen përgjegjës të autoriteteve që nuk përmbushin detyrimet me të cilat i
ngarkojnë standardet ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm.