Nga data 10 deri në 14 Mars 2019, Qendra Të Drejtat e Njeriut në Demokraci (QDNJD) së bashku me ekipin e përkushtuar të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, SHBA u angazhuan drejtpërdrejt në aktivitetet e lobimit dhe avokimit në nivel të OKB-së (Gjenevë) në lidhje me Rishikimin Periodik Universal, UPR.

Është hera e tretë që Shqipëria raporton në procesin e Rishikimit Periodik Universal (Universal Periodic Review – UPR). Qëllimi i procesit të raportimit është vëzhgimi nga afër i situatës të të drejtave të njeriut në çdo vend anëtar të OKB-së dhe dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e saj. Raporti zyrtar i shtetit shqiptar do të merret në konsideratë në 6 Maj 2019, në sesionin e 33-të të Grupit të Punës të UPR të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.

Në kuadër të këtij raportimi, Avokatet për të Drejtat e Njeriut dhe QDNJD përgatitën paraprakisht (Shtator 2018) Raportin e Grupeve të Interesit “Situata e Dhunës në Familje në Shqipëri”   https://ëëë.hrdc.al/index.php/en/neës/57-albania-stakeholder-report-for-the-united-nations-universal-periodic-revieë

Raporti është i fokusuar në situatën e dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje në Shqipëri si dhe çështje problematike të zbatimin të legjislacionit në praktikë. Raporti përfshin një sërë rekomandimesh që synojnë përmirësimin e situates të respektimit të të drejtave të viktimave/mbijetuatave të dhunës të cilat u janë shpërndarë paraprakisht në formë elektronike të gjitha delegacioneve të vëndeve anëtare të OKB-së.

Në këtë proces, QDNJD advokoi me anëtarët e OKB lidhur me zbatimin e legjislacionit si dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Një synim tjetër ishte inkurajimi i qeverisë shqiptare që të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut nën dritën e të drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të ratifikuara nga shteti shqiptar.

 

Specifikisht, QDNJD ka kryer rreth 25 takime me anëtarët e Këshillit të të Drejtave të Njeriut me të cilët ka ndarë informacion në lidhje me gjendjen e përgjithshme të të drejtave të grave, dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje në Shqipëri. 

Gjithashtu është lobuar në lidhje me rekomandimet që Qendra sugjeron t'i bëhen shtetit shqiptar në shqyrtimin e radhës të UPR.

 

Të mërkurën, më 23 mars, 2019, Avokatët për të Drejtat e Njeriut së bashku me organizata të të drejtave të njeriut nga Etiopia, Bregu i Fildishtë dhe Rusia bënë prezantimet e tyre në Eventet Paralele, të mbajtura  në Pallatin e Kombeve (Palais de Nations). Panelistët diskutuan mbi abuzimet e të drejtave të njeriut, si dhe Raportet  Periodike Universale të tre vendeve përkatëse të cilat do te rishikohen në muajt në vazhdim - përfshirë këtu edhe dhunën në familje në Shqipëri.

 

Kjo ishte një eksperiencë dhe mundësi e jashtëzakonshme për Qendrën Të Drejtat e Njeriut në Demokraci, për të ndarë drejtpërdrejt me komunitetin ndërkombëtar informacion rreth situatës të respektimit të të drejtave të njeriut, me fokus të vecantë dhunën me bazë gjinore.

 

Takimet me përfaqësues të misioneve diplomatike ishin një mundësi unike për të rritur ndërgjegjësimin për situatën e dhunës ndaj gruas dhe dhunën në familje në Shqipëri në nivel ndërkombëtar. 

 

QDNJD informoi delegatët në lidhje me progresin që ka bërë shteti shqiptar në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare, por ndau me ta edhe problemet kryesore të evidentuara nga QDNJD gjatë punës së saj në drejtim të parandalimit dhe adresimit të dhunës me bazë gjinore.

 

Ky proces lobimi dhe advokimi i shërbeu organizatës për të forcuar njohuritë dhe aftësitë në kryerjen e avokimit strategjik, aftësi të cilat do ti përdorë padyshim edhe në të ardhmen. Mendojmë së OJF-të-shqiptare duhet të forcojnë aftësitë e tyre të lobimit dhe advokimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Kjo eksperiencë ishte shumë e suksesshme, pasi Organizata jonë u angazhua në mënyrë domethënëse në mbrojtjen e rekomandimeve për Shqipërinë me 25 shtete anëtare të OKB. Nëse rekomandimet e bëra do të merren parasysh, padyshim që ato do të ndihmojnë në përmirësimin e situatës të grave/vajzave dhe viktimave / të mbijetuarve të dhunës në familje në Shqipëri si dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të tyre.

 

QDNJD dëshiron të falënderojë ekipin e përkushtuar të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut për mbështetjen e tyre të çmuar dhe përpjekjet e tyre për lobim, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës të të drejtave të njeriut jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë globin.